Partia Demokratike ka hedhur akuza të forta ndaj qeverisë për shpërdorim masiv të fondeve publike përmes kontratave të klasifikuara në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Sipas opozitës, këto kontrata janë përdorur si mekanizëm klientelist për të favorizuar kompani të caktuara, në kurriz të qytetarëve dhe transparencës.
Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli, u shpreh se mungesa e fondeve për ndihmën ekonomike, barnat, fermerët apo pensionet lidhet drejtpërdrejt me korrupsionin dhe mënyrën se si paratë publike përfundojnë tek klientët e pushtetit.
Sipas saj, për një periudhë 10-vjeçare, nga viti 2016 e deri më sot, janë shpenzuar rreth 104 milionë euro për kontrata të klasifikuara, pa njoftim publik, pa garë dhe pa transparencë. Këto kontrata, që sipas ligjit duhet të përdoren vetëm për çështje të mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare, rezultojnë të kenë pasur si objekt shërbime rutine, si mirëmbajtje pajisjesh apo shërbime sigurie.
Vangjeli theksoi se shumica e kontratave me afate mbi 24 dhe 36 muaj kanë nisur pas emërimit të Mirlinda Karçanajt në krye të AKSHI-t dhe se janë dhënë përmes procedurave të mbyllura, pa asnjë llogaridhënie publike.
Sipas të dhënave të paraqitura nga PD, përfituesit kryesorë të këtyre kontratave janë:
- ABS shpk, me rreth 17 milionë euro
- FIRST shpk, me rreth 18.5 milionë euro
- Infosoft Systems, 12.6 milionë euro
- TBS 96 shpk, 11.8 milionë euro
- AES Communication shpk, 6.7 milionë euro
- Soft Solution, 5 milionë euro
- IKUBINFO, 3.8 milionë euro
- Alisa Albania, 2.1 milionë euro
- Image Communication Development, 2 milionë euro
- Intech +, 1.6 milionë euro
- Fastech shpk, 1.2 milionë euro
- Trezhnjeva shpk, 1.2 milionë euro
Partia Demokratike i ka bërë thirrje SPAK-ut të përshpejtojë dhe finalizojë hetimet për AKSHI-n, duke vënë theksin tek kontratat e klasifikuara dhe përgjegjësia politike që, sipas saj, shkon deri te kryeministri.
Sipas opozitës, shqiptarët po paguajnë koston e një sistemi që favorizon pakicën e lidhur me pushtetin, ndërsa shumica përballet me mungesë shërbimesh, varfëri dhe padrejtësi.
