Avokati Kujtim Cakrani ka bërë të ditur se nuk do të jetë më përfaqësuesi ligjor i ish-presidentit Ilir Meta në procesin penal që po zhvillohet në Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).
Në një deklaratë publike, Studio Ligjore “Cakrani” njofton se kishte marrë përsipër mbrojtjen ligjore të Metës më 24 maj 2025, duke theksuar se gjatë kësaj periudhe angazhimi profesional është ushtruar në përputhje me detyrimet ligjore dhe etike.
Sipas deklaratës, bashkëpunimi mes palëve ka përfunduar më 29 qershor 2026 për shkak të humbjes së mirëbesimit reciprok dhe mungesës së bashkëpunimit të nevojshëm ndërmjet klientit dhe avokatit. Studio ligjore bën të ditur se kjo situatë u evidentua veçanërisht pas seancës së fundit gjyqësore të çështjes.
Avokati Cakrani thekson se vendimi është marrë në përputhje me Kodin e Etikës së Dhomës së Avokatisë dhe legjislacionin në fuqi, duke sqaruar se nuk ka konflikt interesi, mosmarrëveshje personale apo akuza mes palëve.
Në përfundim të deklaratës, Studio Ligjore “Cakrani” i uron Ilir Metës mbarësi në vijimin e mbrojtjes ligjore dhe konfirmon se do të respektojë detyrimin për ruajtjen e konfidencialitetit të të gjitha informacioneve të marra gjatë ushtrimit të mandatit si avokat mbrojtës.
