Ekonomistja Romina Radonshiq ka sqaruar në një intervistë televizive skemën e kompensimit mujor për pensionistët, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për rritje pensioni, por për një shtesë fikse që financohet nga buxheti i shtetit.
Sipas saj, kjo shtesë është përfshirë në vendimin e datës 30 dhjetor dhe zbatohet vetëm për kategori të caktuara pensionistësh, ndërsa një pjesë e madhe nuk përfiton për shkak të kufijve të vendosur mbi vlerën e pensionit.
Ajo sqaroi se për pensionistët me pension të plotë, shtesa mujore përfitohet vetëm nëse pensioni nuk kalon vlerën 40 mijë lekë të vjetra. Në rast se pensioni është mbi këtë kufi, shtesa nuk jepet.
Pensionistët ruralë përfitojnë një shtesë mujore prej 1 mijë lekësh, por vetëm nëse pensioni i tyre nuk është më i lartë se 18 mijë lekë në muaj. Nëse kjo vlerë tejkalohet, përfitimi përjashtohet.
Për pensionet e pjesshme, parashikohet një shtesë mujore prej 800 lekësh, e cila përfitohet vetëm kur pensioni i pjesshëm nuk kalon vlerën 22 mijë lekë.
Ndërsa pensionistët e invaliditetit kanë të drejtë për një shtesë prej 700 lekësh në muaj, por vetëm nëse pensioni i tyre është deri në 30 mijë lekë të reja. Pensionet mbi këtë nivel nuk përfshihen në skemë.
Sa i përket pensioneve familjare, shtesa mujore është 600 lekë dhe përfitohet nga ata që marrin pension familjar deri në vlerën 18 mijë lekë në muaj.
Ekonomistja theksoi se kufizimet kanë bërë që shumë pensionistë të mos e përfitojnë shtesën, veçanërisht ata që i kanë tërhequr pensionet në fillim të muajit janar, duke krijuar konfuzion mbi zbatimin e skemës.
