Forcat politike shtrojnë premtime ambicioze për ulje të taksave ose rritje të shpenzimeve, por pa analiza të argumentuara për mënyrën se si do të financohen këto premtime. Një vlerësim i pjesshëm mbi faturën financiare të këtyre premtimeve tregon se zbatimi i njëkohshëm i masave që premtojnë ulje të mëdha të taksave dhe rritje të shpenzimeve, veçanërisht për mbrojtjen sociale, është shumë i vështirë. Oferta të tilla elektorale nuk janë shumë realiste dhe nuk mund të argumentohen vetëm me “formulën magjike” të luftës ndaj korrupsionit dhe informalitetit.
Forcat politike në opozitë kanë dalë në fushatë me premtime për ulje të konsiderueshme të taksave. Në përgjithësi, forcat e spektrit të djathtë premtojnë rikthimin në një taksë të sheshtë, në masën 8%-10%, për të gjitha burimet e të ardhurave. Partia Demokratike premton gjithashtu uljen e TVSH-së, në nivelin 15%, ndërsa “Shqipëria Bëhet” premton rimbursim të saj deri në masën 10% (pa sqaruar nëse rimbursimi do të jetë i njëjtë për të gjithë konsumatorët dhe në ç’masë).
Shumica e forcave politike premtojnë rritjen e pensionit minimal në nivelin 200 euro në muaj, ndërsa disa prej tyre shkojnë më tej dhe e përcaktojnë këtë shumë si një minimum jetik, që duhet garantuar për të gjithë përfituesit e pagesave nga shteti.
Për të vlerësuar ndikimin e drejtpërdrejtë të premtimeve për ulje të taksave mund t’u referohemi të dhënave të fundit faktike, të vitit 2024 (parashikimet e buxhetit 2025 janë natyrisht edhe më të larta).

