Pas pazarit Rama-Berisha, duket se është rikthyer lufta për vulën e Partisë Demokratike. Rithemelimi i ka bërë presion Gjykatës së Apelit për të vendosur për fatin e vulës së PD. Ishte nënkryetari i Rithemelimit, Agron Gjekmarkaj, i cili dje në një letër drejtuar gjyqtarëve të Apelit që kanë në dorë çështjen e vulës së Partisë Demokratike, i kërkon të vendosin me paanësi, duke i kërcënuar në një farë forme, se nuk duhet të guxojnë të dëmtojnë interesat e vendit. Ai theksoi se çështja nuk mund të zvarritet dhe nuk mund të manipulohet. “Opozita në çdo vend demokratik është ana tjetër e sistemit, balancuesja dhe kontrolluesja e tij. Anarkia legale për fatin e opozitës e kompromenton rëndë çdo gjykatës që është marrë me këtë çështje duke mos e zgjidhur atë në mënyrë të qartë e përfundimtare duke bashkuar aktin juridik me vullnetin e anëtarësisë. Së fundmi Gjykata e Lartë përcaktoi me kompetencë dhe profesionalizëm sinoret ku Gjykata e Apelit duhet të mbështetet për ta zgjidhur në mënyrë definitive këtë çështje. Fati i opozitës lidhet drejtpërdrejt me fatin e Shqipërisë, me jetën demokratike në vend, me zbatimin e Kushtetutës dhe ligjit, me parimet universale të një demokracie liberale e funksionale. Kjo çështje nuk mund të zvarritet dhe nuk mund të manipulohet, sepse do të ishte një atentat i mirëfilltë, një puç konstitucional në jetën politike të vendit, një prishje e rregullave demokratike të lojës, ndërhyrje në garën politike në favor të pushtetit, duke denatyruar thelbin e sistemit dhe duke minuar jetën institucionale në vend”, deklaroi ai.
Gjekmarkaj: Gjykatat kanë detyrën të japin drejtësi
Ndërkohë, Gjekmarkaj theksoi se gjykatat kanë detyrën e shenjtë e të vështirë të japin drejtësi. Sipas tij, drejtësia nuk mundet e nuk duhet të sillet si palë politike. “Prej shumë kohesh një sagë e pandershme luhet mbi fatin Partisë Demokratike, partisë më të madhe të opozitës, në dyer gjykatash e cila si një “patate e nxehtë” kalon sa në një nivel në tjetër gjykimi duke mos e ndarë ligjërisht atë që është e qartë në gjithçka e për gjithkënd. Për një parti politike në çdo manual gjenden plot përkufizime të cilat konvergojnë në faktin se aty ku është anëtarësia, trupa politike, deputetët, grupi parlamentar, delegatët që mblidhen në Kuvend Kombëtar, Institucionet që ai prodhon nga Kryetari, Kryesia, Këshilli Kombëtar, aty është sigla që e formojnë dhe përkufizojnë atë. Gjykatat kanë detyrën e shenjtë e të vështirë të japin drejtësi. Me këtë vetëdije PD ka votuar Reformën në Drejtësi. Drejtësia nuk mundet e nuk duhet të sillet si palë politike. Mënyra se si është trajtuar çështja e ‘vulës’ së PD-së i ka shndërruar në perceptim organet e drejtësisë për një kohë të gjatë në aleatë të pushtetit të Edi Ramës”, u shpreh ai. Sakaq, sipas tij, nëse nuk respektohet drejtësia shtetet kthehen në banda të mëdha hajdutësh. “Duke shpresuar se ju do ti ktheni legalitetin PD dhe opozitës si nocion juridik, duke njohur atë që populli dhe qytetarët ja kanë dhenë prej kohësh, ju nderoni togën, sensin e drejtësisë dhe na motivoni për t’ju mbështetur sa më shumë, pa kompromis, në pavarësinë tuaj. E vërteta për opozitën është e vërtetë për Shqipërinë dhe shtetin ligjor e demokratik. Ajo nuk mund të merret peng. Asnjëri prej jush nuk mund e duhet të jetë kaq guximtar sa ti dëmtojë interesat madhore të Shqipërisë, popullit të saj dhe demokracisë, duke zvarritur një çështje që ka interes madhor publik. Nëse nuk respektohet drejtësia shtetet kthehen në banda të mëdha hajdutësh”, nënvizoi Gjekmarkaj.
