Koҫiu: 3,9 miliardë lekë shtesë për shëndetësinë në buxhetin 2025, rehabilitim i 107 qendrave shëndetësore

Data

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koҫiu, deklaroi sot se, buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për vitin 2025 do të jetë 103 miliardë lekë, pra një buxhet që tejkalon vlerën 1 miliard euro, duke zënë 12,57% të buxhetit të shtetit dhe 3,94% të PBB-së.

Në fjalën e saj në Kuvend ku po diskutohet nen për nen buxheti 2025, Koҫiu tha se, “sigurisht që të propozosh rritje të buxhetit vit pas viti është pikërisht ajo që kemi bërë dhe vijojmë të bëjmë dhe pikërisht ky fakt është i demonstruar dhe në buxhetin e vitit 2025 me një rritje prej 5% nga buxheti i vitit 2024”.

“3,9 miliardë lekë janë shtesë për shëndetësinë në buxhetin e vitit 2025 duke investuar në rehabilitimin e plotë të 107 qendrave shëndetësore në të gjithë vendin si dhe hapjen e mbi 10 kantiereve të reja spitalore si rikonstruksionin e godinës së djegie-plastikës në QSUNT, rikonstruksionin e maternitetit të spitalit të Fierit, rikonstruksionin e maternitetit të spitalit të Shkodrës, rikonstruksionin e shërbimit të patologjisë së spitalit të Vlorës, rikonstruksionin e disa pavijonëve të qendrës spitalore rajonale Berat, rikonstruksionin e spitalit të Pogradecit, rikonstruksionin e spitalit të Lushnjës, rikonstruksionin e pediatrisë infektive në QSUNT, spitalin rajonal të Korҫës e plot rikonstruksione të tjera të cilat do të përmirësojnë akoma më shumë infrastrukturën spitalore, por jo vetëm edhe atë të qendrave shëndetësore në vend”, tha Koҫiu.

Ministrja nënvizoi se, “buxheti i 2025-ës reflekton dhe shtesën prej 3,2 miliardë lekë shpenzime korrente si rezultat i rritjes së pagave në korrik të vitit 2024, pra të këtij viti, me një rritje në 5 vitet e fundit, vetëm në formë pagash, duke i shtuar shëndetësisë rreth 10 miliardë lekë shpenzime korrente dhe duke i çuar për disa kategori pagat në plus 120% rritje nga pikënisja, duke synuar pikërisht rikthimin e dinjitetit të mjekut, të infermierit të gjithë profesionistëve të sektorit të shëndetësisë si dhe duke siguruar dhe duke garantuar një transformim rrënjësor të sektorit të shëndetësisë”.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related