Shërbejnë 12 orë nën temperatura përvëluese, kilometrat e makinave të shërbimit i kanë me limit, u duhet të jenë në çdo protestë, koncert apo ndeshje. Këta janë efektivët e Policisë së shtetit, punonjësit më të keqtrajtuar në vendin tonë. Pasi pritën me muaj të tërë që të merrnin paratë e ushqimit, Ministria e Brendshme vendosi që të mos ua jepte bashkë me pagën, por si “tollona”, duke i detyruar të blinin ushqime në supermarkete, kreu i Sindikatës së Policisë, Sadedin Fishta thotë në një intervistë për gazetën “SOT”, se asnjë prej efektivëve nuk ka marrë asnjë lekë deri më sot. Sipas tij, policët përballen me vonesa të pagesave në lidhje me orët shtesë të punës dhe ngarkesë të jashtëzakonshme. Nga ana tjetër ai ka folur dhe për rritjen e rrogave të efektivëve. Gjithashtu ai komentoi dhe implikimin e policisë me krimin e organizuar.
-Zoti Fishta, krimi duket se është ulur ”këmbëkryq” në Shqipëri. 6 të vrarë dhe një i plagosur është bilanci i kësaj jave. A duhet të mbajë përgjegjësi ministri i Brendshëm, Drejtori i Policisë së Shtetit dhe zinxhiri drejtues?
Sigurisht pasi detyra e ministrit dhe e drejtorit janë detyra funksionale me ligj dhe kanë madje përgjegjësi direkte por sigurisht që përgjegjësia është ligjore por edhe morale. Në të dyja raste, është në të drejtën e tij të shprehet për rastin konkret si ai e koncepton por pavarësisht se i duhet kjo përgjegjësi duhet të mbështetet e të vij e të kërkohet edhe nga publiku, strukturat e organizatat dhe forcat politike.
-Prej muajsh flitet se Policia e Shtetit është inkriminuar, madje shumë drejtues të lartë dhe efektivë policie kanë dalë në përgjimet e “Encro Chat” dhe “SKY EÇ” që bashkëpunojmë me krimin e organizuar. Si mund të pastrohet policia nga personat e inkriminuar?
Kjo gjë nuk duhet të mbetet në kuadrin e fjalëve e informacioneve por duhet të konkretizohen në rrugë ligjore duke hapur procese të caktuar, qofshin penale ndaj personave të inkriminuar e njëkohësisht duke i bërë publik dhe me emra dhe duke kryer dhe veprimet e tjera në bazë të ligjit. Sepse dhe ligji e ka për personat të cilët humbasin performancën ose kanë probleme sepse funksioni që mbulojnë drejtues të caktuar të Policisë kërkojnë dhe kartë sigurie, e cila kërkon performancë të lartë dhe pastërti figure.
-Cilat janë sfidat kryesore me të cilat po përballen aktualisht anëtarët e sindikatës?
Në përgjithësi ka shumë probleme që përballen efektivët. Në radhë të parë është problemi financiar, sepse punonjësve të policisë iu premtua një vakti ushqimi nëpërmjet kartave që u pajisën punonjësit e policisë, për të blerë ose për ushqime. Kjo që u premtua që do të niste që prej muajit gusht, nuk ka nisur ende, është problem pasi është nisur prej janarit të këtij viti dhe as janë rimbursuar punonjësit e policisë. Një tjetër problem janë edhe vonesat e pagesave në lidhje me orët shtesë të punës dhe me ngarkesë të jashtëzakonshme. Këto pagesa një pjesë e punonjësve të policisë nuk i kanë marrë. Për sa kohë që dalin këto urdhra për miratim, duhet të plotësohen nga ana e qeverisë. Policia ka të tjera probleme, si p.sh., ligjin e ri të policisë që sapo doli.
Ligji i ri tashmë, iu mohon disa të drejta efektivëve, nga të drejtat që kishin më parë me ligjin e vjetër, që bëmë ne si sindikatë deri në Komision të Sigurisë edhe në Parlament. Ligji që sapo u shfuqizua, kishte një nen për sigurinë e jetës, ku tashmë ligji i ri nuk e ka. Ligji i ri e hoqi dhe ka vënë vetëm një nën ku thotë se në rast dëmtimi fizik, kjo gjë do të rregullohet me VKM. Nëse strukturat e tjera, si p.sh. zjarrfikëset apo ushtria, realizojnë sigurimin e jetës nëpërmjet tenderave për sigurimin kolektiv me kompanitë e sigurimeve, në rastet e plagosjes apo dëmtimeve për shkak të detyrës, këtë gjë Policia e bën nëpërmjet një VKM-je e cila duhet të dalë në mbështetje e zbatim të ligjit. Por ne e dimë shumë mirë që këto VKM dalin me shumë vonesë dhe të cunguara.
