Ish-ambasadori i Shqipërisë në OKB, Agim Nesho, ka komentuar ftesën e presidentit amerikan Donald Trump për përfshirjen e Shqipërisë në “Bordin e Paqes” për Gazën, duke theksuar se ftesa nuk është personale për kryeministrin, por për shtetin shqiptar.
I ftuar në një studio televizive, Nesho shpjegoi se qëllimi i këtij bordi është krijimi i një strukture ndërkombëtare që do të merret me menaxhimin e pasluftës në Gaza, përmes një plani me disa nivele: një bord drejtues në krye, një administrim qeverisës dhe më pas struktura lokale që do të zbatojnë programet për rindërtimin dhe rimëkëmbjen ekonomike.
Sipas tij, në këtë nismë janë përfshirë figura dhe institucione me peshë ndërkombëtare, duke e cilësuar projektin si kompleks dhe afatgjatë, me synim jo vetëm rindërtimin fizik të Gazës, por edhe krijimin e kushteve për stabilitet politik dhe zhvillim ekonomik.
Duke u ndalur te roli i Shqipërisë, Nesho theksoi se përzgjedhja është bërë për vendin dhe jo për individë të caktuar. Ai u shpreh se kryeministri nuk duhet ta paraqesë këtë si meritë personale, por duhet të sqarojë publikisht se çfarë kontributi konkret do të sjellë Shqipëria në këtë proces.
Nesho ngriti gjithashtu shqetësime mbi aspektin financiar të Bordit të Paqes, duke përmendur se pritet që vendet pjesëmarrëse të japin kontribute të konsiderueshme. Sipas tij, duhet transparencë e plotë për të ditur nëse Shqipëria ka mundësi reale për një angazhim të tillë dhe çfarë përfitimesh konkrete do të ketë për vendin.
Në përfundim, ai e cilësoi ftesën si një mundësi të rëndësishme për Shqipërinë në planin ndërkombëtar, por theksoi se ajo duhet trajtuar si përgjegjësi shtetërore dhe institucionale, jo si sukses personal politik.
