Qindra besimtarë myslimanë janë mbledhur në orët e para të mëngjesit në sheshin qendror të Fierit për të falur namazin e Kurban Bajramit, një nga festat më të rëndësishme të besimit islam.
Ceremonia fetare u drejtua nga kreu i Myftinisë së Fierit, Mikele Hazizolli, i cili në mesazhin e tij theksoi rëndësinë e kësaj feste si simbol i sakrificës, solidaritetit dhe ndërgjegjësimit shpirtëror.
Ai u bëri thirrje besimtarëve që të përcjellin më shumë paqe, mirësi dhe ndihmë për familjet në nevojë, duke kujtuar se Kurban Bajrami është një ditë reflektimi dhe afrimiteti mes njerëzve.
Pas ritit të faljes, besimtarët shkëmbyen urime për shëndet, begati dhe harmoni familjare. Sipas traditës, shumë familje kanë prerë kurban dhe një pjesë të mishit ua kanë shpërndarë njerëzve në nevojë.
Atmosfera festive është shoqëruar me pjesëmarrje të lartë të qytetarëve të të gjitha grupmoshave, ndërsa gjatë ditës familjet pritet të mblidhen për dreka tradicionale me të afërm dhe miq.
