Ermal Beqiri në kërkim, por paratë vijojnë/ AKSHI i transferon mbi 150 mijë euro në ditë kompanisë së tij

Data

Edhe pse prej javësh në kërkim, biznesmeni Ermal Beqiri vijon të përfitojë shuma të mëdha nga fondet publike përmes kontratave me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Vetëm më 14 janar, AKSHI ka kryer katër pagesa të njëpasnjëshme me vlerë totale mbi 150 mijë euro për kompaninë “Soft & Solution”, e cila konsiderohet një nga hallkat kryesore në skandalin e tenderave të pajisjeve elektronike me vlerë dhjetëra milionë euro.

Më 16 dhjetor 2025, Gjykata e Posaçme vendosi masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, dhe zëvendësen e saj, Hava Delibashi. Ndërkohë, masat “arrest në burg” për biznesmenët Ermal Beqiri dhe Ergys Agasi nuk janë ekzekutuar ende, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi zbatimin e vendimeve të drejtësisë.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, këta persona dyshohen për krijimin e një grupi të strukturuar kriminal që, në bashkëpunim me drejtues të AKSHI-t, ka manipuluar procedurat e prokurimit publik. Dosja hetimore tregon se Beqiri dhe Agasi ndërhynin drejtpërdrejt për të siguruar fitimin e tenderave dhe për të rritur në mënyrë artificiale fondet limite.

Dyshohet se vlera totale e tenderave të paracaktuar nga ky grup arrin të paktën në 60 milionë euro. Veprimtaria e AKSHI-t është denoncuar vazhdimisht nga opozita, ndërsa ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj e ka cilësuar këtë agjenci si “kopshtin privat financiar” të kryeministrit Edi Rama.

Pavarësisht masave të sigurisë të vendosura nga GJKKO, Prokuroria e Posaçme ende nuk ka ndërmarrë veprime për bllokimin e aktivitetit të kompanive të dyshuara. Në qendër të skemës mbetet “Soft & Solution”, e cila, sipas dokumenteve zyrtare, vazhdon të përfitojë pagesa të konsiderueshme nga buxheti i shtetit, edhe pse pronari i saj është në kërkim.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related