Kriza e ujit “i preu karrigen”/ Shkarkohet drejtori i UKT pas revoltës së qytetarëve në Tiranë

Data

Pas një krize të zgjatur dhe të përsëritur të furnizimit me ujë të pijshëm në kryeqytet, është shkarkuar nga detyra drejtori i Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë, Skerdi Drenova. Vendimi u mor ditën e sotme dhe lidhet drejtpërdrejt me situatën problematike që po përjetojnë mijëra familje në Tiranë prej muajsh.

Shkarkimi vjen pas një vale të fortë ankesash nga qytetarët, të cilët kanë denoncuar mungesë serioze të ujit në banesat e tyre. Në disa zona të kryeqytetit, sipas banorëve, furnizimi është kufizuar në vetëm një orë në ditë, çka e bën pothuajse të pamundur përmbushjen e nevojave bazike si higjiena, gatimi dhe pastrimi.

Situata ka prekur veçanërisht familjet me fëmijë, të moshuarit dhe personat me probleme shëndetësore, duke krijuar shqetësim dhe pakënaqësi të gjerë. Paradoksi, sipas qytetarëve dhe ekspertëve, qëndron në faktin se problemet kanë vijuar edhe gjatë dimrit, në një periudhë me reshje të shumta shiu dhe me liqenin e Bovillës në nivele normale, pa sinjale për mungesë uji.

Kjo ka ngritur dyshime serioze për keqmenaxhim, amortizim të rrjetit dhe mungesë kontrolli efektiv mbi sistemin e shpërndarjes. Përballë presionit publik dhe kritikave në rritje, autoritetet kanë vendosur të ndërhyjnë duke shkarkuar kreun e institucionit përgjegjës.

Shkarkimi i Skerdi Drenovës shihet si një akt përgjegjësie administrative, por qytetarët kërkojnë më shumë se kaq: zgjidhje konkrete dhe të menjëhershme për furnizimin normal me ujë. Ende nuk është bërë e ditur se kush do ta zëvendësojë atë në krye të UKT-së, ndërsa pritet që në ditët në vijim të prezantohet një plan emergjent për t’i dhënë fund krizës së ujit në Tiranë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related