Një incident i rëndë ka ndodhur të martën, më 30 dhjetor, në veriperëndim të Italisë, ku një aksident me teleferik ka shkaktuar panik dhe ka vënë në alarm autoritetet. Si pasojë e përplasjes së dy kabinave në stacionet e sipërme dhe të poshtme, katër persona kanë mbetur të plagosur, ndërsa rreth 100 pasagjerë janë bllokuar në lartësi rreth 2,800 metra mbi nivelin e detit.
Sipas informacioneve zyrtare nga shërbimet e emergjencës, tre pasagjerë që ndodheshin në kabinën e sipërme janë lënduar, së bashku me drejtuesin e teleferikut. Media vendase raportojnë se gjithsej gjashtë persona kanë pasur nevojë për ndihmë mjekësore, megjithëse fatmirësisht nuk raportohet për rrezik jete.
Pas incidentit, pistat e skive në zonën përreth janë mbyllur menjëherë për arsye sigurie, ndërsa ekipet e shpëtimit kanë ndërhyrë për të asistuar pasagjerët e bllokuar. Mes tyre raportohet se ka pasur edhe fëmijë dhe turistë të huaj, të cilët janë mbajtur nën vëzhgim dhe qetësuar nga autoritetet.
Sipas shpjegimeve paraprake, dyshohet se një nga kabinat nuk ka ngadalësuar siç duhej gjatë afrimit në stacion dhe është përplasur me një pengesë, duke shkaktuar aksidentin. Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e plota të ngjarjes dhe për të verifikuar kushtet teknike të teleferikut.
Operacionet e shpëtimit vijuan për disa orë, ndërsa situata u vu gradualisht nën kontroll. Autoritetet garantuan se po merren të gjitha masat për sigurinë e pasagjerëve dhe për rikthimin e normalitetit në zonë.
