Familja Rrapaj në fshatin Kuman të Roskovecit ka hapur dyert e mortit pas ngjarjes së rëndë të ndodhur më 24 mars, ku 80-vjeçari Shefit Rrapaj vrau me armë zjarri bashkëshorten e tij, Dashuri Rrapaj, 75 vjeçe, dhe më pas humbi jetën edhe vetë.
Sipas informacioneve, ceremonitë mortore për dy bashkëshortët nuk do të zhvillohen së bashku. Dashuri Rrapaj do të përcillet për në banesën e fundit në Allambreas të Beratit, vendlindja e saj, ndërsa trupi i Shefit Rrapaj ndodhet ende në morgun e Fierit dhe nuk është tërhequr nga familjarët.
Në banesën ku ndodhi tragjedia janë mbledhur të nëntë fëmijët e çiftit, të cilët po përballen me një situatë të rënduar emocionale teksa përgatiten për ceremonitë mortore të prindërve të tyre.
Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pas konflikteve të vazhdueshme mes bashkëshortëve. Sipas burimeve, vetëm pak ditë para krimit, në familje kishte pasur debate të forta, aq sa ishte kërkuar edhe ndërhyrja e policisë.
Pavarësisht ndërhyrjeve të mëparshme, tensionet në familje nuk u shuan, duke përfunduar në këtë tragjedi të rëndë që ka tronditur komunitetin e zonës.
