Çfarë po ndodh në Vilën 30? Rama mbledh Ballën dhe ministrat, në fokus referendumi dhe ekonomia

Data

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një seri takimesh në “Vilën 30”, duke mbledhur drejtuesit kryesorë të mazhorancës dhe disa institucione kyçe, në një moment të rëndësishëm për axhendën politike të qeverisë.

Një ditë pas prezantimit të draftit për ligjin e referendumëve, në zyrën e Ramës ishte i pranishëm kreu i grupit parlamentar Taulant Balla, së bashku me zëvendëskryeministren Albana Koçiu, ministrin për Pushtetin Vendor Ervin Demo dhe ministren për Marrëdhëniet me Parlamentin Erjona Ismaili.

Sipas burimeve, në këtë takim është diskutuar strategjia e komunikimit për projektligjin e referendumëve, një nismë që socialistët synojnë ta kalojnë pas një procesi të gjerë konsultimi publik.

Ndërkohë, takimet në Vilën 30 kanë vijuar edhe gjatë ditës së sotme, ku Rama është takuar me ministren e Ekonomisë Delina Ibrahimaj si dhe me drejtues institucionesh të rëndësishme, përfshirë kreun e AKSHI-t Igli Tafa.

Diskutimet lidhen jo vetëm me projektligjin për referendumet, por edhe me çështje ekonomike dhe funksionimin e institucioneve në varësi të qeverisë.

Sa i përket draftit për referendumet, ai parashikon tre lloje kryesore: referendum kushtetues, të përgjithshëm dhe vendor. Referendumet e përgjithshme mund të përdoren për shfuqizimin apo miratimin e ligjeve të rëndësishme, ndërsa ato konsultative synojnë të marrin mendimin e qytetarëve pa qenë detyruese për institucionet.

Ndryshimet kushtetuese, sipas draftit, do të miratohen vetëm nëse marrin pjesë mbi gjysma e votuesve dhe shumica e tyre votojnë pro.

Drafti pritet të depozitohet në Kuvend vetëm pasi të përfundojë faza e konsultimeve, ndërsa takimet në Vilën 30 tregojnë se mazhoranca po koordinon nga afër si aspektin politik ashtu edhe atë institucional të kësaj nisme.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related