Zhvillime të reja kanë dalë në dritë lidhur me vrasjen e dyfishtë që tronditi opinionin publik në Shtetet e Bashkuara, ku viktima mbetën regjisori i njohur Rob Reiner dhe bashkëshortja e tij Michelle. Autoritetet kanë arrestuar djalin e tyre, Nick Reiner, si autorin e dyshuar të krimit.
Sipas raportimeve të mediave amerikane, Nick Reiner ishte akomoduar në një hotel në Santa Monica në orët e para të së dielës, më 14 dhjetor, vetëm pak orë pas një debati që dyshohet se kishte pasur me të atin gjatë një feste private. Hetimet zbuluan se ai kishte rezervuar dhomën vetëm për një natë, por nuk kishte kryer kurrë procedurën e largimit.
Kur stafi i hotelit hyri në dhomë mëngjesin e së dielës, u konstatuan gjurmë të shumta gjaku, veçanërisht në banjë dhe mbi shtrat, ndërsa dritarja e dhomës ishte mbuluar me çarçafë. Menjëherë pas kësaj, policia e Los Angeles ndërhyri për të sekuestruar prova dhe për të marrë dëshmi nga punonjësit e hotelit.
Dëshmitarët kanë deklaruar se Nick Reiner dukej i çorientuar në momentin e regjistrimit në hotel, por pa shenja të dukshme dhune apo lëndime fizike. Ai u lokalizua dhe u arrestua disa orë më vonë, rreth 30 kilometra larg hotelit, në zonën e Los Angeles.
Ndërkohë, autoritetet po hetojnë edhe sjelljen e tij gjatë festës ku kishte qenë i pranishëm më herët, pasi burime pranë hetimit raportojnë se ai kishte shfaqur sjellje të pazakonta dhe shqetësuese.
Regjisori Rob Reiner dhe bashkëshortja e tij u gjetën të pajetë në banesën e tyre në Brentwood, me plagë të shkaktuara nga mjet prerës në zonën e qafës. Dyshohet se brenda banesës kishte ndodhur një përplasje e dhunshme. Trupat u gjetën nga njëra prej vajzave të çiftit, e cila njoftoi menjëherë policinë dhe shprehu dyshime për një të afërm, duke e konsideruar atë potencialisht të rrezikshëm.
Nick Reiner, i lindur në vitin 1993, ka folur publikisht në të kaluarën për problemet e tij të rënda me abuzimin e substancave narkotike. Ai ka pranuar se është futur për herë të parë në rehabilitim në moshë të re dhe se për shumë vite ka pasur një jetë të paqëndrueshme, duke kaluar edhe periudha të gjata si i pastrehë.
Hetimet janë ende në vijim, ndërsa autoritetet amerikane po punojnë për të dokumentuar plotësisht rrethanat dhe motivet e këtij krimi të rëndë, i cili ka tronditur botën e artit dhe kinemasë.
