Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) vendosi më 12 shkurt të lërë në fuqi shkarkimin nga detyra të inspektores së ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Brunilda Çarçiu.
Vendimi u mor me shumicë votash nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Natasha Mulaj, me relatore Mimoza Tasi dhe anëtare Albana Shtylla, Ina Rama dhe Rezarta Schuetz, pas shqyrtimit në dhomë këshillimi të ankimit të paraqitur nga Çarçiu kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK). Vendimi i KPA është përfundimtar dhe hyn menjëherë në fuqi.
KPK kishte vendosur më 20 qershor 2022 shkarkimin e Çarçiut për probleme në kriterin e pasurisë. Trupa e KPK-së ishte e ndarë për sa i përket statusit të saj si subjekt rivlerësimi, por arriti në përfundimin se mungesat financiare të konstatuara gjatë ushtrimit të detyrës ishin të mjaftueshme për shkarkim. Në kriterin e pastërtisë së figurës dhe atë profesional nuk u gjetën shkelje.
Brunilda Çarçiu ka përfunduar studimet në Fakultetin e Shkencave Politike dhe Juridike në vitet 1987–1991. Ajo ka ushtruar detyrën e gjyqtares në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Gramsh deri në vitin 2000, më pas ka qenë ndihmëse ligjore në Gjykatën e Lartë deri në vitin 2011 dhe më pas u emërua pranë inspektoratit të ish-KLD-së, ku në vitin 2016 mori detyrën e inspektores.
Në vitin 2019, Këshilli i Lartë Gjyqësor arriti në përfundimin se Çarçiu kishte ruajtur statusin e magjistratit, çka e përfshiu në procesin e rivlerësimit kalimtar.
