Sot legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës do të bëjë përpjekjen e radhës për t’u konstituar. Të shtunën në mungesë kuorumi, dështoi përpjekja për zgjedhjen e komisionit për votimin e fshehtë, duke e detyruar kryesuesin Avni Dehari që ta ndërpresë seancën, duke paralajmëruar se ajo do të vazhdojë të hënën, në orën 10:00.
Për herë të dhjetë me radhë të shtunën, legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës nuk arriti të konstituohet. As në vazhdimin e nëntë të seancës nuk pati lëvizje pozitive drejtë konstituimit të Kuvendit të Kosovës .
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, të shtunën u bëri thirrje partive politike që të propozojnë anëtarë për komisionin për votimin e fshehtë, si një hap procedural kyç sipas tij, për vazhdimin e procesit.
Por, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, kritikoi mënyrën e drejtimit të seancës, duke mos propozuar kandidatë për komision. As LDK, AAK dhe Lista Serbe nuk propozuan kandidatë për komisionin, duke mbajtur qëndrimin e njëjtë si në seancat e kaluara. Ndërkohë, nga 106 deputetë të pranishëm, vetëm 54 votuan pro krijimit të komisionit, një kundër, dhe asnjë abstenim, numër që nuk mjaftoi për kuorum.
Pas përfundimit të seancës, përfaqësues të partive politike vazhduan me akuza ndaj njëra-tjetrës për moszgjedhjen e kryeparlamentarit.
