Juristi i njohur, Romeo Kara ka komentuara situa politike në vend, ndërsa ka folur mbi një zhvillim të rëndësishëm që pritet të vijë nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), duke paralajmëruar se Sali Berisha mund të përballet me një dënim prej 20 vitesh burg për akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave sa i takon aferës “Partizani”. Gjatw njw interviste pwr gazetën ai thekson se ky lajm “bombastik” është një sinjal për të gjithë ata që shkelin ligjin dhe se duhet të jetë një moment reflektimi për politikën shqiptare. Sipas Karës, veprimet destabilizuese që po përgatiten nga deputetët e opozitës, për të mbrojtur interesat personale të Berishës dhe grupit të tij, rrezikojnë seriozisht stabilitetin e vendit.
Juristi Kara gjithashtu thekson se deputetët e Partisë Demokratike që shkaktuan kaos në Kuvend dhe dogjën karriget duhet të ndiqen penalisht, duke theksuar se veprimet e tyre janë të papranueshme dhe dëmtojnë demokracinë. Po ashtu, gjatë intervistës me kryeredaktorin e gazetës “SOT”, Rigels Seliman, zoti Kara apelon për një reagim të fortë nga institucionet ligjzbatuese, për të ndaluar këtë spiral dhune dhe për të mbrojtur rendin dhe ligjin. Në këtë kontekst, ai kërkon mbështetje nga qytetarët për të ruajtur një shoqëri të drejtë dhe të barabartë, duke rikthyer besimin në institucionet e drejtësisë.
-Zoti Kara, Ilir Proda është emëruar drejtorin ri i Policisë së Shtetit? Mendoni se Z.Proda do të sjellë ndonjë ndryshim në mënyrën e funksionimit të policisë dhe a do të pastrohet policia nga elementët e korruptuar dhe të inkriminuar siç është premtuar nga ministri Ervin Hoxha?
Vlen të theksohet se ky propozim vjen pas një procesi përzgjedhës, ku për herë të parë pati një lloj konkurrimi midis një numri jo të vogël kandidatësh. Personalisht, kam kohë që kam ngritur zërin për të bërë një reformë dekriminalizuese në polici, pasi fatkeqësisht kemi kohë që jo vetëm me perceptime publike, por edhe me fakte e prova, një numër jo i vogël i kësaj strukture është kriminalizuar, duke demotivuar ata që janë për zbatimin e ligjit dhe motivuar shkelësit e tij. Shkuarja deri në fund të operacionit Metamorfoza do të kishte zbardhur shumë aspekte të këtij shqetësimi, duke marrë parasysh që as 6% e mesazheve në dispozicion nuk janë zbardhur dhe trajtuar nga organet tona ligjzbatuese.
Detyra numër një sot në lidhje me policinë është certifikimi i sigurisë së saj, gjë për të cilën duhet ose një reformë e menjëhershme si në rastin e Azerbajxhanit, ose vite të tera ringritjeje graduale. Mesa shoh, varianti i Azerbajxhanit nuk do të aplikohet pasi atij varianti do t’i paraprinte krijimi me urgjencë i një xhandarmerie e cila do të punonte si Task Force deri në ringritjen nga e para të të gjithë strukturës policore. Uroj që shpejt të kuptohet se ne kemi nevojë për një strukturë të re policore dhe jo një retushim të kësaj strukture që kemi, fatkeqësisht e kriminalizuar deri në kupolën e saj.
-Sali Berisha është marrë zyrtarisht nën hetim nga SPAK për aferën “Partizani”. Sipas jush, a rrezikohen pozitat e Berishës nga ky hetim dhe sa vite burg rrezikon ai?
Hetimi ka konkluduar në një akuzë zyrtare, gjë që do të thotë sipas vetë organit të akuzës se Sali Berisha e ka konsumuar veprën penale të korrupsionit pasiv në bashkëpunim përtej dyshimit të arsyeshëm, gjë që më krijon bindjen e plotë se ai do të marrë një dënim jo të lehtë nga GJKKO, sidomos kur marrim parasysh se akuza mund të rëndohet edhe me akuzën për pastrimin e produkteve të veprës penale, gjë që na bën të mendojmë se dënimi i tij lidhur me këtë aferë do të jetë diku te 20 vite burgim.
-PD ka thirrur protestë më 7 tetor. Sipas zyrtarëve të lartë demokratë, pritet të ketë një pjesëmarrje të madhe. A mendoni se ekziston rreziku që kjo të çojë në mosbindje civile, siç paralajmëron Sali Berisha?
Sali Berisha gjithmonë e ka kryer me sukses procesin e destabilizimit të vendit këto 34 vite demokraci. Tashmë destabilizimi i vendit nuk varet më nga dëshira e tij e përjetshme diabolike që mbetet e pandryshuar, por nga reagimi i organeve të drejtësisë dhe atyre ligjzbatuese. Këtë javë u dogjën me frymëzimin e tij karriget përpara Kuvendit dhe u tentua të goditej me dërrasë në kokë kryetarja e Kuvendit. Pra, u konsuamuan disa vepra penale, të cilat po nuk u trajtuan me efikasitet ligjor, do të përbëjnë një frymëzim për ta rënduar më tej situatën, duke rënduar për të disatën herë në histori shpatullat e shqiptarëve me pasojat e halleve personale të Sali Berishës dhe bandës së tij me status politik, të quajtur PD.
