Kosova hyn zyrtarisht të enjten në fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit, në një proces që vjen pas krizës politike të krijuar nga dështimi i Kuvendit për zgjedhjen e presidentit të ri.
Subjektet kryesore politike kanë paralajmëruar aktivitetet hapëse të fushatës në disa qytete të vendit, ndërsa gara pritet të fokusohet te përballja mes liderëve kryesorë politikë.
Lëvizja Vetëvendosje do ta hapë fushatën me një tubim në Palestrën Sportive në Ferizaj, në orën 19:30, ku Albin Kurti do të kërkojë një mandat të ri në krye të qeverisë.
Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës do të zhvillojë aktivitetin hapës në qendër të Ferizajt në orën 20:00, me Bedri Hamza si kandidat për kryeministër.
Lidhja Demokratike e Kosovës do ta nisë zyrtarisht fushatën në sallën “1 Tetori” në Prishtinë në orën 18:00. Në këto zgjedhje, LDK hyn me Lumir Abdixhiku si kandidat për kryeministër dhe Vjosa Osmani si figurë kyçe politike e mbështetur nga kjo forcë.
Ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do ta çelë fushatën në Gjakovë në orën 19:45, me Ardian Gjini në garë për postin e kryeministrit, pas tërheqjes së Ramush Haradinaj nga drejtimi i partisë.
Sipas kalendarit zgjedhor, fushata do të zgjasë deri më 6 qershor, ndërsa votimi do të mbahet më 7 qershor.
Zgjedhjet e parakohshme u shpallën pasi Kuvendi i Kosovës nuk arriti të zgjedhë presidentin e ri brenda afatit kushtetues, duke e futur vendin në një tjetër krizë institucionale dhe politike.
