Bashkitë në kolaps! Inceneratori i Tiranës fitime 7.4 mln euro, me normë rekord prej 47%

Data

Me disa muaj vonesë, Integrated Energy BV SPV, kompania që ka koncesion inceneratorin e Tiranës ka dorëzuar bilancin e vitit 2023, ku rezulton se kompania ka arritur një fitim para taksave prej 7.4 milionë euro, me një normë fitimi (fitim para taksave/ardhurave) rekord prej 47%, ose gati gjysmën e parave që ajo ka arkëtuar, duke përpunuar mbetjet e bashkive dhe depozituar dhera e inerte nga entet private.

Nga 31 korriku 2023, inceneratori ka qenë në sekuestro Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, teksa nisi hetimi nga SPAK për abuzim dhe pastrim parash.

Nga bilanci rezulton se kompania ka realizuar të ardhura totale prej 1.57 miliardë lekësh (15.7 mln euro) në 2023, me një rënie prej 43% në krahasim me vitin e mëparshëm, kur arkëtimet totale ishin 2.7 miliardë lekë. Tkurrja i dedikohet faktit që kompania nuk ka raportuar të ardhura nga kryerja e punimeve të investimit sipas kontratës së koncesionit, që në 2022 kishin qenë 1 miliardë lekë. Sipas përshkrimit në bilanc, këto të fundit janë të ardhura nga procesi i autofaturimit[1] të investimeve në zbatim të kontratës mëmë koncesionare.

Në 2023, ky zë ishte vetëm 109 milionë lekë. Sipas raportit të pasqyrave financiare, niveli i ulët i investimeve të realizuara lidhet me faktin se subjekti ka pasur detyrime të mbartura që kanë krijuar situata bllokuese financimi si nga fitimet e realizuara por edhe nga burime të tjera financimi, pasi statusi aktual “Sekuestro preventive” ka ngrirë marrëdhëniet me bankat si financuese të mundshme të projektit.

Të ardhurat kryesore në 2023-n inceneratori i ka gjeneruar nga “shërbimi i përpunimit të mbetjeve urbane, dhera dhe inerte” për bashkitë Tiranë, Durrës, Vorë, Kavajë, që kanë kapur vlerën e 1.16 miliardë lekë (gati 12 mln euro), të ndjekura nga “shërbimi i përpunimit të mbetjeve urbane, dhera dhe inerte për Entet private”, me vlere 257 mln lekë (2.6 mln euro).

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related