Kosova “mban peng” Serbinë, ambasadori amerikan ndez polemika, Brukseli “shkund” Beogradin, ja kushtet që duhet të plotësojë vendi për tu anëtarësuar në Bashkimin Europian

Data

Anëtarësimi i Serbisë në BE, ka qenë prej kohësh një nga synimet kryesore të Serbisë. Megjithatë, gjërat duket se kanë ecur me ritme të ngadalta dhe Kosova është kthyer në një pengesë për ambiciet e integrimit, në Beograd.  Shumë zyrtarë evropianë shpresojnë se përparimi i Serbisë drejt BE-do ta ndihmojë Beogradin që të jetë e vendosur në rrugën e reformave, por zyrtarë në disa kryeqytete evropiane janë të zemëruar nga refuzimi i Serbisë për të njohur Kosovën dhe duan të shohin më shumë progres në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të ndërmjetësuar nga BE, mbi çështjet praktike. Megjithatë, ka ende paqartësi, që shtohet nga deklarata të hedhura në ajër, herë pas here. Kësaj here ka qenë ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, ai që ka trazuar ujërat. Ai ka thënë se anëtarësimi i Serbisë në Bashkimin Evropian nënkupton normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën por jo edhe njohjen “de jure” të saj.

Deklaratat e Hill

Në një intervistë me të përjavshmen beogradase, NIN, ambasadori Hill tha se “evropianët po kërkojnë atë që po kërkojnë, e ajo është normalizimi”. “Ata duan paqe dhe siguri në rajon, sigurisht edhe ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Unë mendoj se ata e kanë thënë shumë qartë se ka anëtarë të Bashkimit Evropian që nuk e njohin Kosovën, kështu që çështja e vërtetë është të përpiqemi të arrijmë normalizimin ku kufijtë nuk do të jenë kufij që ndajnë, por kufij që bashkojnë, kufij që bashkojnë realisht dhe shpresoj që njerëzit ta kuptojnë se çfarë po themi në të vërtetë këtu për të ardhmen dhe si do të duket jeta e njerëzve. Dhe kjo është arsyeja pse unë do të doja të shihja shumë më tepër përparim në planin e normalizimit dhe është e qartë se BE-ja e ka këtë parasysh gjithashtu”, tha ambasadori Hill. Po ashtu ai deklaroi se Serbinë e sheh si një lojtar në Evropë, si një vend që ka shumë për të ofruar.

Përgjigjja e BE

Por, kësaj deklarate të ambasadorit amerikan i kanë reaguar Bashkimi Evropian. Madje si rrallë herë zëdhënësi i këtij institucioni, Peter Stano, ka pranuar që shteti që udhëhiqet nga Aleksandër Vuçiç, po shkel marrëveshjet e dala nga dialogu duke i vënë theks lobimit të Serbisë kundër Kosovës. “Marrëveshja për Rrugën e Normalizimit është e vlefshme dhe e detyrueshme në tërësinë e saj si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë. Këtu përfshihet edhe neni 4 i marrëveshjes. Lobimi i Serbisë kundër Kosovës është një shkelje e qartë e Marrëveshjes”, ka thënë Stano. Sakaq, edhe deputeti i Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë në Bundestag, Josip Jutaroviç, ka thënë dje për portalin European Western Balkans se për shkak të politikës aktuale të Serbisë, si dhe forcimit të së djathtës ekstreme, Serbia ka gjithnjë e më pak shanse për t’u bërë anëtare e BE. Juratoviç, i cili është edhe kryetar i Komitetit për Ballkanin Perëndimor në Parlamentin gjerman, vëren se shoqëritë në BE janë shumë skeptike për zgjerimin, sepse është e drejta që ua imponon atë frikë nga njëra anë dhe nga nga ana tjetër, vendet që duan të anëtarësohen në BE nuk i vënë vlerat e tyre demokratike në plan të parë.

Reagime në Kosovë

Sakaq, deklaratat e Hill janë komentuar edhe nga kabineti qeveritar në Kosovë. Ministri i Financave, Hekuran Murati, në konferencën pas mbledhjes së qeverisë, ka thënë se Kosova përmes dialogut në Bruksel synon normalizim të raporteve me Serbinë dhe njohje të ndërsjellë. “Ne si Republikë e Kosovës përmes përfaqësuesit tonë në dialog jemi të përkushtuar që përmes dialogut në Bruksel të arrijmë në marrëveshje që ka synim normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe njohjen e ndërsjellë, por kjo është vetëm në raport me Serbinë”, ka deklaruar Murati. Ndërkohë qeverisë së Kosovës i rekomandohet që më shumë se për njohjen nga Serbia të merret me lobimin për anëtarësimin në organizata të fuqishme. “Kosova mund të jetoj pa njohjen nga Serbia. Ajo që duhet të bërë është orientimi në përfshirjen e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare deri në hyrjen në NATO. Anëtarësimi në NATO është më i rëndësishëm se njohja nga Serbia dhe unë mendoj që kjo është esenca e asaj që tha zotëri Hill”, ka thënë analisti Milazim Koci.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related