Deputeti demokrat Saimir Korreshi ka hyrë në garë për postin e sekretarit të përgjithshëm të Partisë Demokratike, përballë Flamur Nokës.
Kandidatura e tij u bë publike pak para mbledhjes së Këshillit Kombëtar të PD-së, ndërsa Korreshi deklaroi se vendimin e kishte marrë gjatë ditës së sotme.
I pyetur nëse kishte pasur kohë për të zhvilluar fushatë mes anëtarëve të Këshillit Kombëtar, ai tha se nuk ishte e nevojshme, pasi të dy kandidatët njihen nga demokratët dhe do të vlerësohen për atë që përfaqësojnë.
“Është një vendim i ditës së sotme. Nuk më detyron askush. Na njohin dhe lobimi është ajo që ne përfaqësojmë”, deklaroi Korreshi.
Sipas tij, vendimi përfundimtar do të jetë në duart e anëtarëve të Këshillit Kombëtar, të cilët do të zgjedhin mes dy kandidaturave.
“Nëse ka ardhur koha që të ndryshojë, do të ndryshojë”, u shpreh deputeti.
I pyetur se çfarë do të bënte nëse zgjidhej në postin e konsideruar si numri dy i PD-së, Korreshi shmangu komentet para votimit.
“Të përfundojë njëherë votimi”, tha ai.
