Gjykata e Përzier me Juri në Athinë ka dënuar me 4 vite burg deputetin e pavarur Konstantinos Floros, për një incident të dhunshëm ndaj kolegut të tij Vassilis Grammenos.
Ngjarja ndodhi gjatë një seance plenare të Parlamentit grek në prill 2024, ku Floros ushtroi dhunë fizike ndaj deputetit të “Zgjidhjes Helenike”.
Trupa gjykuese e shpalli unanimisht fajtor për përdorim dhune gjatë ushtrimit të detyrës, ndërsa vendosi që apeli të ketë efekt pezullues, çka do të thotë se dënimi nuk do të ekzekutohet menjëherë.
Me një shumicë të ngushtë votash (4-3), gjykata i njohu të pandehurit një rrethanë lehtësuese, por rrëzoi kërkesat e tjera të mbrojtjes, përfshirë pretendimet për provokim nga viktima dhe pendim të sinqertë.
Gjatë procesit gjyqësor, Floros e cilësoi ngjarjen si një “moment të pafat”, duke pretenduar se reagimi i tij erdhi pas një fyerjeje të rëndë ndaj nënës së tij nga kolegu.
“Reagimi im ishte i gabuar, por u ndjeva i provokuar rëndë,” deklaroi ai në gjykatë.
Nga ana tjetër, prokurori i çështjes kishte kërkuar mosnjohjen e asnjë rrethane lehtësuese, duke theksuar se akte të tilla dhune brenda Parlamentit dëmtojnë rëndë institucionin dhe imazhin publik.
