Gazetari Julian Hoxhaj ka komentuar zhvillimet më të fundit në hetimet ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke paralajmëruar se procesi pritet të jetë i gjatë dhe kompleks.
I ftuar në një studio televizive, ai theksoi se një nga fazat më të rëndësishme të hetimit, ajo e ekspertimit të telefonave të sekuestruar, kërkon kohë të konsiderueshme.
Sipas Hoxhajt, vetëm analiza teknike e pajisjeve elektronike mund të zgjasë minimalisht dy muaj, pa përfshirë mbledhjen dhe verifikimin e materialeve të tjera hetimore.
Pas kësaj faze, shtoi ai, agjentët e BKH dhe prokurorët e SPAK do të kenë nevojë për kohë shtesë për të analizuar provat dhe për të ndërtuar dosjen hetimore.
Gazetari vuri në dukje gjithashtu se kalimi i kohës që nga momenti i zhvillimeve të para politike rreth çështjes mund të ketë ndikuar në uljen e vëmendjes publike, duke i dhënë, sipas tij, më shumë hapësirë procesit hetimor.
Në këtë kontekst, ai paralajmëroi se për një periudhë të gjatë mund të mos ketë zhvillime të dukshme publike, pasi hetimi ndaj Ballukut pritet të vijojë si një proces i zgjatur dhe teknikisht i ndërlikuar.
