Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar me konsensus të plotë marrëveshjen për aderimin e vendit në Bordin e Paqes për Gazën. Me 110 vota pro dhe asnjë kundër, deputetët e mazhorancës dhe opozitës i dhanë dritën jeshile ratifikimit të marrëveshjes.
Edhe pse gjatë debatit nuk munguan kritikat politike ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, opozita konfirmoi mbështetjen për këtë nismë, duke e konsideruar pjesëmarrjen në Bord si një angazhim të rëndësishëm në fushën e sigurisë dhe paqes ndërkombëtare.
Votimi unanim u cilësua si një moment i rrallë bashkimi politik, ku palët lanë mënjanë përplasjet dhe u rreshtuan në një qëndrim të përbashkët për çështjet e politikës së jashtme dhe rolin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
