Deputeti i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka akuzuar ashpër maxhorancën dhe kryeministrin Edi Rama nga foltorja e Kuvendit, duke deklaruar se entuziazmi për Bordin e Paqes fsheh frikën nga veprimi i drejtësisë.
Sipas Shehajt, arsyeja reale e këtij entuziazmi është fakti se drejtësia ka nisur të veprojë ndaj pushtetit dhe se “drejtësia iu është qepur të gjithëve”. Ai tha se mazhoranca shpreson që përmes angazhimeve ndërkombëtare Rama dhe bashkëpunëtorët e tij të gjejnë mënyra për t’i shpëtuar hetimeve dhe ndëshkimit.
Deputeti theksoi se ndërkohë që SPAK po paraqiste argumente në Gjykatën Kushtetuese kundër Belinda Ballukut, kryeministri shkoi në Kuvend dhe, sipas tij, me arrogancë u tall me organin e drejtësisë, duke e quajtur SPAK-un “sportel”.
Shehaj akuzoi gjithashtu mazhorancën për sulme të vazhdueshme ndaj Prokurorisë së Posaçme, duke përmendur edhe sulmin kibernetik ndaj SPAK, për të cilin tha se është një tregues i qartë i frikës së pushtetit nga drejtësia.
“Ky entuziazëm nuk është forcë, por dëshpërim. Është shpresa e fundit e atyre që e dinë se fundi i pandëshkueshmërisë po afrohet”, u shpreh Shehaj në fjalën e tij.
