Xhaxhai i Elvis Shkëmbit, një nga personat e akuzuar për vrasjen e gjyqtarit të Apelit Astrit Kalaja, ka kërkuar zyrtarisht ndryshimin e masës së sigurisë ndaj tij.
Gjon Shkëmbi, i cili ndodhet aktualisht në masën “arrest me burg”, ka depozituar kërkesë pranë Gjykatës së Tiranës, duke pretenduar se nuk ekzistojnë kushtet ligjore për vijimin e paraburgimit. Sipas tij, nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen e rëndë dhe nuk ekzistojnë prova konkrete që e implikojnë në vrasjen e gjyqtarit.
Ai akuzohet për veprat penale:
- “Vrasja e funksionarëve publikë”, e kryer në bashkëpunim
- “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave”, e mbetur në tentativë dhe e kryer në bashkëpunim
Në kërkesën e paraqitur, Gjon Shkëmbi argumenton se masa e arrestit është e pajustifikuar dhe se nuk ekziston rrezik për prishje të provave apo shmangie nga drejtësia.
Seanca për shqyrtimin e kërkesës do të zhvillohet gjatë ditës së sotme, ndërsa pritet vendimi i gjykatës në një nga dosjet më të rënda dhe më të ndjeshme të viteve të fundit, që lidhet me vrasjen e një gjyqtari në detyrë.
