Rast pa precedent në Kushtetuese, vendimi për Ballukun pritet brenda 10 ditësh

Data

Seanca e zhvilluar sot në Gjykatën Kushtetuese për çështjen e zëvendëskryeministres Belinda Balluku përbën një rast të paprecedentë për sistemin institucional shqiptar. Kështu u shpreh gazetarja Klodiana Lala, duke theksuar se për herë të parë drejtësia ka vendosur pezullimin nga detyra të një zv/kryeministre, duke imponuar nevojën për interpretim kushtetues.

Sipas Lalës, përplasja kryesore në këtë proces lidhet me balancën mes pushtetit ekzekutiv dhe atij gjyqësor. Nga njëra anë, SPAK argumenton se nuk ekziston konflikt kompetencash dhe se masa ndaj Ballukut është marrë për shkak të rrezikut që ushtrimi i detyrës mund të cenojë hetimet. Nga ana tjetër, Kryeministria pretendon se vendimi i GJKKO-së përbën ndërhyrje në funksionimin e qeverisë.

Gazetarja theksoi se Belinda Balluku nuk është zgjedhur drejtpërdrejt nga qytetarët për postin e zv/kryeministres apo ministres, por është emëruar politikisht nga kryeministri. Statusi i saj si deputete, sipas saj, nuk është prekur nga masa e pezullimit, çka e bën të ligjshëm veprimin e gjykatës në këndvështrimin kushtetues.

Në këtë proces, SPAK ka ngritur shqetësimin se ndërhyrjet politike mund të cenojnë pavarësinë e drejtësisë, ndërsa qeveria ka insistuar se po i shkelen kompetencat kushtetuese. Gjykata Kushtetuese tashmë pritet të vendosë një standard të ri për raportin mes pushteteve.

Sipas Klodiana Lalës, vendimi i Gjykatës Kushtetuese pritet të shpallet brenda një afati të shkurtër dhe nuk do të vonojë më shumë se 10 ditë, duke e bërë këtë çështje një test kyç për drejtësinë dhe shtetin e së drejtës në Shqipëri.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related