Një përplasje e fortë është parë në fillim të kësaj jave midis deputetëve të qeverisë dhe atyre të opozitës në komisionin hetimor për koncesionet në shëndetësi. Pika e nxehtë ka qenë thirrja ose jo në rolin e dëshmitares e biznesmenes Vilma Nushi, përfituesja e koncesionit të Check Up përmes kompanisë 3P Life Logistic.
Përfaqësuesit e opozitës kanë këmbëngulur që Vilma Nushi të dëshmojë me çdo çmim. “Ju lëshuat edhe Ilir Beqajn (i cili dëshmoi këtë të martë), por jo Vilma Nushin. Por Vilma Nushi nuk është mbi ligjin. Gjykata Kushtetuese i ka garantuar opozitës të thërrasë të gjithë dëshmitarët që do”, tha kryesuesja e komisionit Albana Vokshi. Ndërsa socialistët, jo vetëm që nuk dorëzoheshin në këtë pikë, por arritën deri aty sa me gojën e deputetes Edona Bilali të kërkonin që emri i biznesmenes të mos përmendej i plotë, por me iniciale.
Po përse debati rreth Vilma Nushit u zhvillua me tone kaq të forta? Pse deputetët e shumicës vunë veto vetëm për të dhe Edi Ramën, për të mos u thirrur në komision? Lapsi.al është përpjekur të kuptojë arsyet.
Gjithçka nisi 10 vite më parë kur qeveria Rama, në të cilën Ilir Beqaj mbante në atë kohë detyrën e ministrit të shëndetësisë, vendosi të japë një kontratë 120 milionë euroshe për atë që u quajt “kontrolli shëndetësor falas”. Këto para i fitoi 3P Life Logistic një kompani e sapo krijuar mbi 90% të së cilës e kontrollonte një firmë tjetër, Marketing& Distribution e Vilma Nushit.
Por tenderi që u zhvillua për të fituar të drejtën e kontrollit të popullsisë, la hije të forta dyshimi. Tre nga pesë kompanitë që garuan u eleminuan me pretekstin e zakonëshëm, mungesë dokumentacioni, kurse mes dy finalisteve, firma e zonjës Nushi u shpall fituese ndonëse ofroi çmimin më të lartë për çdo pacient që do diagnostikohej.
Por dyshimet për shkelje nuk përfundojnë këtu. Një tjetër pikqyetje qëndron në faktin se Vilma Nushi i bëri letrat vetëm pasi mori garancinë se do shpallej fituese. Kompania e saj, “Marketing & Distribution” mori licensën për laborator kimik e biokimik nga Qendra Kombëtare e Licencimit, në datën 9 shtator 2014, pra vetëm dy ditë përpara mbarimit të afatit të dorëzimit të dokumenteve të tenderit. Ajo u shpall fituese në Janar 2015.
