Komisioni Evropian gjobit AliExpress me 550 milionë euro për shkelje të rregullave të DSA-së

Data

Komisioni Evropian ka vendosur një gjobë prej 550 milionë eurosh ndaj platformës kineze të tregtisë elektronike AliExpress, duke argumentuar se kompania nuk ka marrë masa të mjaftueshme për të parandaluar shpërndarjen e produkteve të paligjshme dhe potencialisht të rrezikshme për konsumatorët në Bashkimin Evropian.

Sipas Komisionit, hetimi konstatoi se në platformë kanë mbetur të disponueshme produkte të falsifikuara, lodra që nuk përmbushnin standardet e sigurisë dhe produkte kozmetike të konsideruara të rrezikshme. Institucioni vlerësoi se mekanizmat e kontrollit të AliExpress nuk kanë qenë të mjaftueshëm për të kufizuar qarkullimin e këtyre produkteve.

Zëvendëspresidentja Ekzekutive e Komisionit Evropian për Politikat e Teknologjisë, Henna Virkkunen, deklaroi se mangësitë e identifikuara cenojnë mbrojtjen e konsumatorëve dhe krijojnë kushte të padrejta konkurrence për bizneset që respektojnë legjislacionin europian.

Sipas Komisionit, hetimi evidentoi gjithashtu se kompania nuk kishte vlerësuar në mënyrë të mjaftueshme burimet njerëzore të angazhuara për verifikimin e produkteve të dyshimta, si edhe ndikimin e sistemeve të rekomandimeve dhe reklamave në promovimin e produkteve që nuk përmbushnin kërkesat ligjore.

Procedura ndaj AliExpress nisi në mars 2024 në kuadër të Aktit të Shërbimeve Dixhitale (Digital Services Act – DSA). Komisioni bëri të ditur se kompania duhet të paraqesë deri më 20 tetor një plan të plotë për përputhshmërinë me kërkesat e legjislacionit europian. Në të kundërt, ajo mund të përballet me masa të tjera administrative dhe financiare.

Sipas Komisionit Evropian, kjo është gjoba më e lartë e vendosur deri tani në kuadër të Aktit të Shërbimeve Dixhitale dhe pason një tjetër vendim të marrë ndaj platformës Temu për shkelje të ngjashme.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related