Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ka shkarkuar nga detyra Prokuroren e Tiranës, Ornela Rrumbullaku.

Siç shihet edhe nga fotot e siguruara nga LSA, Rrumbullaku ka shpërthyer në lot pasi KPK ka dhënë vendimin për shkarkimin e saj nga detyra.
Rrumbullaku u përball të hënën më 2 shtator me KPK, kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime për bilancet negative në vlera të mëdha, të konstatuara në burimin e krijimit të aksioneve të bashkëshortit në disa shoqëri private.
Ajo i kundërshtoi gjetjet e KPK-së, duke pretenduar se bashkëshorti nuk i kishte investuar ato para, por ishte dakordësuar me bashkëortakët që të kontribuonte me konsulencë juridike.
Ornela Rrumbullaku përfundoi studimet e Magjistraturës në vitin 2006 dhe pas një periudhe stazhi në Prokurorinë e Tiranës, u emërua në Prokurorinë e Rrethit Kavajë.
Në vitin 2019, Rrumbullaku u komandua si këshilltare pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Ajo ushtronte detyrën aktualisht në Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë.
Bilancet negative të bashkëshortit
Komisioni nuk ka gjetur probleme për blerjen e një automjeti në vitin 2007 për çmimin 500 mijë lekë, ku si burime krijimi janë deklaruar kursimet dhe një kredi konsumatore.
Për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 85 m2 në vitin 2011 në Tiranë kundrejt çmimit 77 mijë e 350 euro, janë deklaruar si burime të ardhurat e bashkëshortit A.M., në atë kohë në cilësinë e bashkëjetuesit, nga aktiviteti i tij privat dhe kredi në masën 46 mijë euro.
