Gazetarja Klodiana Lala ka bërë një deklaratë të fortë lidhur me zhvillimet e fundit në çështjen e Zvërnecit, duke sugjeruar se shqetësimi kryesor i kryeministrit Edi Rama nuk lidhet me protestat qytetare, por me hetimet që po zhvillon SPAK.
E ftuar në një studio televizive, Lala deklaroi se në ditët në vijim mund të ketë zhvillime të rëndësishme procedurale, që sipas saj mund të përfshijnë edhe sekuestrimin e pronave që dyshohet se kanë probleme me dokumentacionin e pronësisë.
“Rama trembet më shumë nga hetimi i SPAK sesa nga protesta. Në ditët në vijim mund të ketë vendime që mund të çojnë deri në sekuestrim të mundshëm të pronës që dyshohet e falsifikuar. Një sekuestrim i tillë do të sillte automatikisht bllokimin e projektit”, u shpreh gazetarja.
Sipas Lalës, një masë e tillë do të kishte pasoja të drejtpërdrejta mbi investimin e planifikuar në zonën e Zvërnecit, pasi çdo procedurë zhvillimi do të pezullohej deri në përfundimin e hetimeve dhe verifikimeve ligjore.
Gazetarja paralajmëroi se veprimet e mundshme të SPAK mund të ndodhin brenda një afati të shkurtër kohor, madje duke përmendur se vendimmarrja mund të vijë brenda 10 ditëve të ardhshme.
Sipas saj, nëse vendoset sekuestrim preventiv mbi pronat objekt hetimi, projekti do të përballej me vështirësi serioze juridike dhe financiare, ndërsa mund të krijoheshin edhe pasoja në raport me investitorët ndërkombëtarë të përfshirë në projekt.
Megjithatë, deri tani nuk ka një njoftim zyrtar nga SPAK për masa konkrete sekuestrimi, ndërsa hetimet mbi procedurat e pronësisë dhe statusin e truallit në zonën e Zvërnecit vijojnë të jenë në proces.
