Klinika “Vera-Virhov” e çon në gjykatë Eliona Pitarkën: Akuzë për shpifje dhe dezinformim, dëmshpërblimi për jetimoren

Data

Debati publik mes klinikës private “Vera-Virhov” dhe blogeres Eliona Pitarka ka kaluar zyrtarisht në rrugë ligjore. Klinika ka depozituar padi në gjykatë, duke e akuzuar Pitarkën për shpërndarje informacioni dezinformues, shpifje, fyerje, dëmtim imazhi dhe shkelje të ligjit.

Sipas deklaratës zyrtare të klinikës, konflikti nisi pas publikimeve të Pitarkës në rrjetet sociale, ku ajo dyshohet se ka shpërndarë këshilla dietike për fëmijë, duke përdorur emra mjekësh pa autorizim dhe duke krijuar konfuzion në opinionin publik. Klinika thekson se ajo është trajtuar vetëm si paciente dhe nuk ka pasur asnjëherë të drejtë të flasë në emër të stafit mjekësor.

Në reagimin e saj, drejtuesja e klinikës deklaron se Pitarka është paralajmëruar edhe më herët që të mos publikonte informacione të pasakta mbi shëndetin e fëmijëve, veçanërisht për tema të ndjeshme si temperaturat febrile dhe dietat pediatrike. Pavarësisht kësaj, sipas klinikës, publikimet kanë vijuar dhe kanë dëmtuar seriozisht reputacionin profesional të institucionit dhe mjekëve të tij.

Padia përfshin gjithashtu akuza për përdorim të materialeve filmike pa leje, shkelje të pronës intelektuale, si dhe dërgim mesazhesh kërcënuese, të cilat pretendohet se janë të dokumentuara. Klinika bën me dije se çështja bazohet në dispozitat e Kodit Penal dhe, sipas rasteve konkrete, parashikon edhe masa të rënda ndëshkuese.

Në një gjest që e cilëson simbolik dhe human, klinika ka deklaruar se çdo gjobë apo dëmshpërblim financiar që mund të përfitohet nga ky proces gjyqësor do t’i dhurohet Jetimores së Tiranës, në ndihmë të fëmijëve në nevojë.

Klinika “Vera-Virhov” thekson se do të vijojë aktivitetin e saj me profesionalizëm, etikë mjekësore dhe transparencë, duke e konsideruar këtë proces ligjor si një qëndrim parimor për mbrojtjen e shëndetit publik dhe dinjitetit të profesionit mjekësor.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related