Plas Kuvendi që në nisje të 2026-ës: Opozita bllokon foltoren, Bardhi shpërthen ndaj Peleshit – “Balluku është këtu, duhej të ishte në burg”

Data

Seanca e parë plenare e Kuvendit të Shqipërisë për vitin 2026 ka nisur mes kaosit, tensioneve dhe përplasjeve të forta politike. Deputetët e opozitës kanë bllokuar foltoren që në minutat e para, duke paralizuar punimet parlamentare dhe duke kërkuar me insistim autorizimin e Kuvendit për arrestimin e zv.kryeministres Belinda Balluku.

Me thirrje dhe akuza të drejtpërdrejta, opozita i është drejtuar kryeparlamentarit Niko Peleshi, duke e akuzuar për mbrojtje politike dhe pengim të drejtësisë. Situata ka dalë jashtë kontrollit kur deputeti Gazment Bardhi, nga foltorja e bllokuar, ka deklaruar se Balluku ndodhej fizikisht në sallë, ndërkohë që sipas tij “duhej të ishte në qeli për korrupsion”.

Opozita ka kërkuar që Kuvendi të mos shndërrohet në “strehë imuniteti” për zyrtarët e lartë të qeverisë dhe të mos pengojë veprimet e SPAK-ut. Deputetët e PD-së kanë akuzuar mazhorancën se po përdor institucionin e Parlamentit për të fituar kohë, për të mbrojtur provat dhe për të shpëtuar funksionarë të lartë nga ndjekja penale.

Nga ana tjetër, mazhoranca është përpjekur të vijojë seancën, por bllokimi i foltores dhe zhurmat e vazhdueshme kanë pamundësuar zhvillimin normal të punimeve. Kryeparlamentari Peleshi ka bërë thirrje për qetësi dhe respekt të rregullores, por pa sukses.

Seanca u shndërrua shpejt në një arenë përplasjesh politike, duke sinjalizuar se viti 2026 do të nisë me konflikt të ashpër institucional, me drejtësinë, imunitetin dhe korrupsionin në qendër të betejës mes qeverisë dhe opozitës.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related