Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka lëshuar akuza të forta ndaj qeverisë, duke e cilësuar Shqipërinë si një “parajsë të dekonspirimit të hetimeve” nën drejtimin e Kryeministrit Edi Rama. Reagimi i tij vjen pas aksioneve të Antimafias italiane kundër krimit të organizuar, të cilat sipas Këlliçit janë komprometuar brenda territorit shqiptar.
Sipas deputetit demokrat, brenda pak muajsh janë dekonspiruar dy operacione të rëndësishme të nisura nga autoritetet italiane, duke u dhënë mundësi eksponentëve kryesorë të krimit të organizuar t’i shpëtojnë drejtësisë. Ai përmendi veçanërisht rastin e call center-ave mashtrues, që sipas tij, xhirojnë dhjetëra milionë euro dhe kishin marrë masa paraprake pasi ishin në dijeni të lëvizjeve të autoriteteve.
Këlliçi thekson se kjo situatë përbën një goditje të rëndë jo vetëm për zbatimin e ligjit dhe sigurinë në vend, por edhe për imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë, duke e kthyer atë në një partner të pabesueshëm për agjencitë ligjzbatuese europiane. Ai akuzon qeverinë se ndërkohë që flet për suksese dhe propagandë, në realitet po mbulon një sistem ku hetimet dekonspirohen dhe krimi paralajmërohet.
Deputeti demokrat shkon më tej duke akuzuar drejtpërdrejt figura të afërta me Kryeministrin se kanë favorizuar arratisjen e personave të dyshuar për grupe të strukturuara kriminale, duke e cilësuar këtë si një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare.
Në përfundim, Këlliçi u bëri thirrje qytetarëve që të reagojnë, duke i ftuar masivisht në protestën e thirrur nga Partia Demokratike më 24 janar, ora 17:00, si një akt kundërshtie ndaj qeverisjes aktuale dhe, sipas tij, ndaj një shteti që ka dështuar të garantojë drejtësi dhe besueshmëri.
