Një nga protestuesit e liruar këtë të shtunë me vendim të Gjykatës së Tiranës, Niko Qarkaj, ka tërhequr vëmendjen me një gjest simbolik menjëherë pas daljes nga Komisariati nr. 3.
I riu, i cili ishte arrestuar pas protestës së 2 korrikut para Kuvendit, u prit nga dhjetëra qytetarë dhe mbështetës. Në një moment, ai hipi mbi kangjellat e hyrjes së komisariatit, nxori nga xhepi një vezë dhe, përpara se ta hidhte në oborrin e institucionit, deklaroi:
“Kjo ishte arma ime.”
Protestuesit e arrestuar u akuzuan për disa vepra penale, mes tyre prishje të qetësisë publike, shkatërrim prone dhe kundërshtim të punonjësve të Policisë së Shtetit.
Sipas mbështetësve të Qarkajt, ai është dhunuar gjatë qëndrimit në komisariat dhe ka pësuar kriza epileptike. Një episod i tillë u regjistrua edhe gjatë seancës gjyqësore, ku iu desh ndërhyrja e personelit mjekësor pas shfaqjes së problemeve shëndetësore.
Gjykata vendosi lirimin e tij, ndërsa për pjesën më të madhe të protestuesve u caktuan masa më të lehta sigurie ose u liruan pa masë sigurie.
