Ankaraja po finalizon përgatitjet për Samitin e NATO-s, i cili do të mbahet më 7 dhe 8 korrik, ndërsa mediat turke kanë publikuar detajet e para mbi vizitën e presidentit amerikan Donald Trump dhe axhendën e takimit të tij me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan.
Sipas raportimeve, Trump pritet të mbërrijë në kryeqytetin turk më 7 korrik, i shoqëruar nga një delegacion i gjerë zyrtar. Ekipet e sigurisë dhe logjistikës kanë nisur prej ditësh përgatitjet për vizitën.
Ndalesa e parë e presidentit amerikan parashikohet të jetë në Anıtkabir, mauzoleun e themeluesit të Republikës së Turqisë, Mustafa Kemal Atatürk, ku ai do të vendosë një kurorë me lule dhe do të bëjë homazhe.
Më pas, Trump do të pritet në Pallatin Presidencial nga presidenti Erdogan, ku do të zhvillohet ceremonia zyrtare e mirëseardhjes.
Pas ceremonisë, dy liderët pritet të zhvillojnë fillimisht një takim kokë më kokë, i ndjekur nga bisedimet mes delegacioneve të dy vendeve. Në qendër të diskutimeve do të jenë marrëdhëniet dypalëshe, bashkëpunimi në kuadër të NATO-s, çështjet e sigurisë, si edhe zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare.
Sipas mediave turke, pas përfundimit të takimit nuk përjashtohet mundësia që Trump dhe Erdogan të dalin në një konferencë të përbashkët për shtyp. Gjithashtu, po shqyrtohet edhe nënshkrimi i disa marrëveshjeve bashkëpunimi mes dy vendeve.
Në kuadër të Samitit të NATO-s, më 7 korrik do të zhvillohet edhe Forumi i Industrisë së Mbrojtjes në Qendrën e Kongreseve ATO në Ankara. Në forum pritet të marrin pjesë zyrtarë të NATO-s, përfaqësues të qeverive dhe drejtues të kompanive kryesore të industrisë së mbrojtjes, me synimin për të forcuar partneritetet dhe bashkëpunimin në këtë sektor.
