Policia e Bulqizës ka vënë në pranga një 28-vjeçar, i shpallur në kërkim për disa vepra penale, mes tyre “Plagosja e lehtë me dashje”, “Shkatërrimi i pronës”, “Vjedhja” dhe “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”.
Sipas uniformave blu, i riu me inicialet D.T., banues në Bulqizë, është ndaluar pas informacioneve të siguruara në rrugë operative dhe punës për lokalizimin e personave në kërkim.
Ngjarja për të cilën ai akuzohet ka ndodhur në muajin shkurt 2025, pranë rrethrrotullimit të fshatit Fshat, ku 28-vjeçari dyshohet se ka dhunuar fizikisht një 51-vjeçar me inicialet I.A. Pas konfliktit, ai i ka marrë automjetin dhe më pas e ka dëmtuar atë.
Gjykata e Dibrës ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest me burg”, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër për vijimin e veprimeve ligjore.
