Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, mori pjesë në panelin e diskutimit me temë “Forcimi i Bashkimit Evropian përmes Zgjerimit”, gjatë Konferencës së Ambasadorëve në Bruksel.
Në këtë panel, ku ishin të pranishëm edhe Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Europian Marta Kos dhe zëvendëskryeministri njëkohësisht ministri i Jashtëm i Moldavisë, Mihai Popșoi, ministri Hoxha theksoi rëndësinë e procesit të zgjerimit për stabilitetin dhe prosperitetin e kontinentit europian.
Sipas tij, zgjerimi i BE mbetet një nga instrumentet më të suksesshme për konsolidimin e paqes dhe zhvillimit në Evropë.
Hoxha vlerësoi faktin që procesi i zgjerimit është rikthyer në mënyrë të qartë në qendër të agjendës europiane, duke theksuar se Shqipëria mbështet një proces të bazuar në meritë dhe në zbatimin e reformave të thella.
Ministri theksoi se vendi ynë është përgatitur për këtë moment përmes reformave institucionale, përafrimit të plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Europian, si dhe përmes përkushtimit të shoqërisë shqiptare ndaj projektit europian.
Ai nënvizoi se Shqipëria mbetet e vendosur të vazhdojë rrugën e reformave dhe të forcojë bashkëpunimin me Bashkimin Europian në funksion të integrimit të plotë.
