“Këto janë plagët e emigrimit”/ Familja e shuar, të afërmit: I nisëm fëmijët me duart tona, na u kthyen me arkivol

Data

Fshati Gryksh i Madh në Peqin është zhytur në zi pas humbjes tragjike të një familjeje të tërë, e cila humbi jetën në Itali. Dhimbja ka mbërthyer komunitetin, ndërsa banorët e zonës flasin mes lotësh për një fatkeqësi që ka tronditur jo vetëm familjarët, por gjithë fshatin.

Familja kishte rreth tre vite që jetonte në Itali, ndërsa më herët kishte punuar sezonalisht në Greqi. Si shumë të tjerë, ata kishin marrë rrugën e emigrimit në kërkim të një jete më të mirë. Sot, kjo rrugë është kthyer në një plagë të hapur për të afërmit e tyre.

“Këto janë plagët e emigrimit. I nisëm fëmijët me duart tona dhe tani na u kthyen me arkivol,” shprehen fqinjët dhe të afërmit, duke kujtuar sakrificat, largësinë dhe shpresën që i kishte shoqëruar gjithmonë.

Sipas tyre, familjarët ishin parë së fundmi gjatë festave të fundvitit. Kishin ndarë urime, buzëqeshje dhe plane për të ardhmen. Sot, ato kujtime janë kthyer në dhimbje të thellë.

Tragjedia ndodhi në zonën e Luccas, ku katër anëtarët e familjes shqiptare — Arti Kola, Jonida Kola, Hajdar Kola dhe Xhesika Kola — humbën jetën si pasojë e rrjedhjes së monoksidit të karbonit nga kaldaja e banesës. Ata u gjetën pa shenja jete në momentin që forcat e rendit hynë në banesë pas alarmit të dhënë nga të afërmit.

Ngjarja ka prekur thellë edhe komunitetin vendas në Itali. Autoritetet lokale kanë shprehur solidaritet dhe ngushëllime për familjen dhe komunitetin shqiptar, duke e cilësuar humbjen si një tragjedi që ka tronditur gjithë zonën.

Nga Grykshi i Madh në Peqin e deri në Itali, dhimbja është e përbashkët. Një histori e hidhur që rikthen në vëmendje sakrificat e emigrimit dhe rreziqet që shpesh fshihen pas një jete të ndërtuar larg vendlindjes.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related