Një email i përfshirë në dosjen hetimore të Jeffrey Epstein, e bërë publike nga autoritetet amerikane, hedh dritë mbi mënyrën se si rekrutoheshin vajza të reja për punë, mes të cilave përmendet edhe një vajzë shqiptare.
Dokumenti mban datën 29 mars 2017 dhe është pjesë e materialeve të sekuestruara gjatë hetimeve federale ndaj Epstein. Në përmbajtjen e email-it flitet për disa “kandidatura” të prezantuara për vlerësim, duke u ndalur jo vetëm te të dhënat personale, por edhe te gatishmëria për kryerjen e punëve të ndryshme.
Në email përshkruhet fillimisht një vajzë ruse, 21 vjeçe, ku përmenden arsimimi, statusi i vizës së punës në SHBA, si edhe pamja fizike. Gjuha e përdorur tregon një qasje shqetësuese ndaj kandidatëve, duke i trajtuar ata si objekte përzgjedhjeje.
Në të njëjtin komunikim përmendet edhe një vajzë shqiptare, për të cilën thuhet se ishte e gatshme të kryente “çdo lloj pune”, por se nuk preferohej për shkak të komplikimeve me dokumentacionin ligjor. Në email përmendet gjithashtu se ekzistonin materiale video të vajzave të përzgjedhura.
“Kandidatët e tjerë janë gjithashtu në kërkim, por nuk jetojnë në Nju Jork. Vajza shqiptare do të bëjë gjithashtu çdo lloj pune që dëshironi ju, por është shumë e ndërlikuar për sa i përket dokumenteve. Ke edhe videon”, thuhet në tekstin e email-it.
Publikimi i këtij dokumenti shton më tej dyshimet dhe akuzat mbi mënyrën se si Epstein dhe rrethi i tij vepronin për rekrutimin dhe shfrytëzimin e vajzave të reja, duke përdorur kanale informale, komunikime private dhe kritere jashtë çdo standardi ligjor apo etik.
