Gjykata Kushtetuese kundërshton raportin e Avokaturës së Shtetit: Vendimet i zbatojmë sipas Kushtetutës dhe GJEDNJ-së

Data

Gjykata Kushtetuese ka reaguar ndaj raportit të Avokaturës së Shtetit për ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), duke kundërshtuar vlerësimet sipas të cilave nuk ka reflektuar rekomandimet e dhëna pas vendimeve të Strasburgut.

Në një deklaratë zyrtare, Gjykata thekson se raporti paraqet një pasqyrë të paplotë të mënyrës se si janë zbatuar vendimet e GJEDNJ-së dhe nuk merr parasysh ndryshimet e bëra në praktikën e saj gjatë viteve të fundit.

Sipas Kushtetueses, ajo nuk vepron mbi bazën e rekomandimeve të institucioneve të tjera, përfshirë Avokaturën e Shtetit, por zbaton drejtpërdrejt Kushtetutën, Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe jurisprudencën e Gjykatës së Strasburgut.

Gjykata sqaron se, pas vendimit të GJEDNJ-së në çështjen “Supergrav kundër Shqipërisë” të 9 majit 2023, ka ndryshuar praktikën për shqyrtimin e ankimeve kushtetuese individuale. Sipas procedurës aktuale, sa herë paraqitet një ankim kërkohet informacion zyrtar nga Gjykata e Lartë mbi mënyrën e komunikimit të vendimit. Nëse kjo e fundit nuk provon se kur është njoftuar ankuesi, barra e provës nuk i kalon qytetarit dhe ankimi konsiderohet i paraqitur brenda afatit ligjor.

Po ashtu, Gjykata thekson se ka ndryshuar edhe standardin e arsyetimit të vendimeve, duke garantuar që, edhe në rastet kur nuk arrihet shumica e nevojshme për vendimmarrje, vendimet të shoqërohen me argumentim të plotë dhe pasqyrim të qëndrimeve të ndryshme të gjyqtarëve.

Në reagimin e saj, Kushtetuesja i bën thirrje Avokaturës së Shtetit të hartojë raporte të plota, objektive dhe të përditësuara, duke shmangur përfundime që, sipas saj, krijojnë perceptime të pasakta për veprimtarinë e institucioneve dhe zbatimin e vendimeve të GJEDNJ-së.

Gjykata nënvizon gjithashtu se ka bashkëpunuar vazhdimisht me Avokaturën e Shtetit dhe me Zyrën e Këshillit të Evropës në Tiranë, duke ofruar informacion sa herë është kërkuar në kuadër të ekzekutimit të vendimeve të Gjykatës Evropiane.

Në përfundim, Gjykata Kushtetuese rithekson angazhimin e saj për zbatimin e Kushtetutës, të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të jurisprudencës së GJEDNJ-së, me synim garantimin e mbrojtjes efektive të të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related