Ndihmësi ligjor pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Ervin Xhihani pranoi të hënën para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit se ai nuk kishte prova për të rrëzuar barrën e provës mbi pamundësitë financiare të prindërve në krijimin e kursimeve në bankë dhe ndërtimin e një shtëpie, por tha se këto nuk duhej ta penalizonin.
“Parimisht jam dakord me gjetjet në shtyllën e pasurisë. Nuk mund t’i rrëzoj”, tha Xhihani në një mbrojtje emocionale. Ai tha se pasuria e prindërve ishte vendosur para se ai të fillonte detyrën dhe banesa e ndërtuar në Pogradec dhe legalizuar nga e ëma ishte bërë gjatë kohës që ai ishte student.
Seanca dëgjimore për Xhihanin ishte shtyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK, më 12 shtator pas marrjes së dy denoncimeve dhe rifilloi të hënën pasi trupa e përbërë nga komisionerët Brunilda Bekteshi, Olsi Komici dhe Suela Zhegu relatore kishte hetuar edhe mbi këtë çështje.
Gjatë seancës u bë me dije se denoncimet kishin të bënin me akuzat se Xhihani, një avokat i njohur i tij dhe një prokurore me të cilën ai kishte lidhje ishin përfshirë në zbutjen e akuzave për vrasje. KPK që vuri në dukje se nuk kishte gjetur probleme të figurës së ndihmësit ligjor, i kërkoi atij shpjegime pasi tha se kishte provuar se Xhihani dhe avokati kishin udhëtuar sëbashku. KPK po ashtu gjeti se prokurorja, e cila është nëna e dy fëmijëve të Xhihanit, kishte udhëtuar me ndihmësin ligjor me makinën e avokatit.
