Tre ditë pasi hodhi në treg idenë “e çmendur” për krijimin e “Shtetit Bektashi” në një pjesë të Tiranës, kryeministri Edi Rama dha sinjalin e parë të tërheqjes, pas reagimit vendas, por, me shumë mundësi, pas “tërheqjes së veshit” nga faktorë ndërkombëtarë.
Rama shpërndau një postim në rrjete sociale, ku, u shpreh, ndër të tjera se: “…nga ideja tek jetësimi i saj ka një kohë të tërë për t’u kthjelluar çdo gjë dhe një proces të tërë publik e legjislativ për t’u zhvilluar…”.
I gjithë ky zhvillim i vrullshëm pak ditor, e vendos Ramën në një lloj personazhi të ngjashëm me fabulën e Ezopit, “Shqiponja dhe sorra”.
Dikur, një shqiponjë u sul me shpejtësi dhe kapi një qengj. E pa sorra, u zileps dhe veproi si shqiponja. U vërsul mbi një dash, por i mbetën thonjtë tek leshi. E kapi bariu sorrën, e mori në shtëpi. Fëmijët e pyetën se çfarë ishte ai shpend: “Është një sorrë, që i duket vetja si shqiponjë”.
