Për rreth pesë orë, Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin shqyrtoi këtë të hënë kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres Belinda Balluku.
E ftuar në një studio televizive, gazetarja Anila Hoxha zbuloi disa nga deklarimet e bëra me dyer të mbyllura nga drejtuesi i SPAK, Klodian Braho. Sipas saj, Braho ka theksuar se, pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Balluku vijon të ushtrojë detyrën për sa kohë vendimi nuk është zbardhur dhe publikuar zyrtarisht.
Hoxha bëri me dije se kreu i SPAK ka përmendur gjithashtu propozimet për ndryshime në Kodin e Procedurës Penale, duke i lidhur ato me çështjen e imunitetit të ministrave. Sipas saj, Braho ka argumentuar se vetëm masa e pezullimit nga detyra nuk është e mjaftueshme në kushtet e hetimit, duke mos qenë dakord me sugjerimin e përfaqësuesve të mazhorancës për këtë alternativë.
Çështja pritet të kalojë për shqyrtim në seancë plenare, ku Kuvendi do të duhet të shprehet për kërkesën e Prokurorisë së Posaçme.
