Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) ka kundërshtuar projektligjin e ri për Shërbimin e Jashtëm, duke theksuar se sugjerimet e tyre nuk janë marrë në konsideratë dhe se nuk u është dhënë mundësia për një seancë dëgjimore në Komisionin parlamentar.
Sipas KASH, ligji në formën aktuale rrezikon të dëmtojë sistemin e karrierës diplomatike, ta politizojë më tej atë dhe të krijojë pasiguri të përhershme për diplomatët e karrierës. Organizata i ka bërë thirrje qeverisë dhe shumicës parlamentare të tërheqin projektligjin dhe ta rihapin procesin në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe bipartizane.
Gjithashtu, KASH i kërkon Presidentit të Republikës të mos e dekretojë ligjin dhe paralajmëron se do të ndjekë rrugët institucionale dhe ligjore, përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese, për të mbrojtur një shërbim të jashtëm profesional dhe të depolitizuar.
