Një 91-vjeçar, i raportuar i humbur prej dy ditësh në Finiq, është gjetur i pajetë mesditën e sotme në përroin e fshatit.
I moshuari, i cili jetonte i vetëm pas ndarjes nga jeta të bashkëshortes dhe me fëmijët në emigracion në Greqi, ishte larguar nga banesa më 9 shkurt dhe nuk ishte kthyer më. Banorët e zonës njoftuan autoritetet, duke theksuar se ai nuk largohej zakonisht nga shtëpia.
Pas dy ditësh kërkime nga policia, zjarrfikësit dhe banorët e fshatit, trupi i tij u gjet pa shenja dhune. Sipas burimeve, paraprakisht dyshohet për vdekje natyrale, ndërsa mund të ketë ndikuar edhe qëndrimi i zgjatur jashtë në kushte të pafavorshme. Procedurat vijojnë për zbardhjen e plotë të rastit.
