Ka nisur protesta e 30-të radhazi kundër qeverisë dhe projektit të ndërtimit në zonën e Zvërnecit, ndërsa qytetarët po grumbullohen në Sheshin “Skënderbej”, përpara marshimit drejt godinës së Kryeministrisë.
Gjatë protestës, pjesëmarrës të ndryshëm kanë ndarë publikisht shqetësimet e tyre lidhur me problematikat që, sipas tyre, kanë hasur ndër vite në shërbimet publike, sistemin shëndetësor dhe administratën shtetërore.
Një prej protestuesve tha se ka marrë pjesë në protesta ndër vite dhe se motivimi i tij kryesor mbetet e ardhmja e fëmijëve.
“Kam protestuar edhe në vitin 1991, edhe në vitin 1996, edhe në vitin 2013. Sot jam këtu sepse dua një të ardhme më të mirë për fëmijët e mi. Kam punuar 40 vjet dhe ende nuk di ku janë vitet e mia të punës. Kam pasur probleme me dokumentacionin dhe me shërbimet administrative,” u shpreh ai.
Qytetari ngriti gjithashtu shqetësime për funksionimin e platformës e-Albania dhe vonesat në sistemin shëndetësor, duke deklaruar se familja e tij kishte pritur për muaj të tërë për një ndërhyrje mjekësore në sektorin publik, çka, sipas tij, e detyroi të drejtohej te shërbimi privat.
“Kërkojmë drejtësi dhe institucione që t’u shërbejnë qytetarëve. Neve na ka ikur jeta, por shpresojmë që fëmijët tanë të kenë mundësi të jetojnë dhe të ndërtojnë të ardhmen në Shqipëri,” tha protestuesi.
Organizatorët kanë bërë të ditur se pas grumbullimit në shesh, protesta do të vijojë me marshim drejt Kryeministrisë, ku pritet të zhvillohet tubimi kryesor i mbrëmjes.
