E trishtë! Ndahet nga jeta ish-kryeparlamentari i Kosovës, Nexhat Daci

Data

Është ndarë nga jeta në moshën 82-vjeçare ish-kryeparlamentari i Kosovës, Nexhat Daci, një nga figurat e njohura të jetës politike dhe akademike të vendit. Lajmi u bë i ditur nga kryetari në detyrë i Kuvendit, Dimal Basha.

Gjatë karrierës së tij politike, Daci ka mbajtur postin e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe ka ushtruar edhe detyrën e Presidentit në detyrë pas ndarjes nga jeta të Presidentit Ibrahim Rugova në vitin 2006. Ai ishte gjithashtu themelues i Lidhjes Demokratike të Dardanisë dhe mbeti aktiv në skenën politike edhe pas përfundimit të mandateve të tij institucionale.

Kush ishte Nexhat Daci

Nexhat Daci lindi në vitin 1944 në Tërnoc të Bujanocit. Ai ishte kimist, profesor universiteti dhe akademik me një karrierë të pasur shkencore dhe arsimore. Studimet e larta për kimi i përfundoi në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore të Universitetit të Beogradit, ku kreu edhe studimet pasuniversitare. Më pas vijoi specializime dhe studime të avancuara në Belgjikë, Kroaci dhe Angli.

Doktoraturën e mbrojti në Universitetin e Zagrebit, ndërsa studimet pasdoktoratës i kreu në Universitetin e Bradfordit në Mbretërinë e Bashkuar. Që nga viti 1966 ishte pjesë e Universitetit të Prishtinës, ku u angazhua fillimisht si asistent, më pas si ligjërues dhe profesor, duke marrë titullin profesor ordinar në vitin 1984.

Daci ishte anëtar i disa institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare shkencore dhe mori pjesë në shumë udhëtime studimore jashtë vendit, duke kontribuar në zhvillimin e arsimit dhe shkencës në Kosovë.

Ndarja e tij nga jeta përbën një humbje të madhe për politikën, arsimin dhe shoqërinë kosovare. Figura e Nexhat Dacit do të kujtohet për kontributin e tij institucional, akademik dhe publik ndër vite.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related