Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar pas publikimit të letrës së arkitektit holandez Reinier de Graaf, duke e cilësuar përmbajtjen e saj si fyese ndaj Shqipërisë dhe qytetarëve shqiptarë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Këlliçi u shpreh se letra paraqet një vizion që, sipas tij, mohon të drejtën e shqiptarëve për zgjedhje dhe demokraci, ndërsa akuzoi kryeministrin Edi Rama se e ka promovuar këtë mesazh duke e përfshirë në librin “Albanian Files”.
Sipas deputetit demokrat, autori i letrës e trajton Shqipërinë si një vend pa të drejta demokratike dhe të lidhur vetëm me vazhdimësinë e pushtetit aktual.
“Arkitekti holandez e konsideron Shqipërinë një truall për eksperimentet e tij, pa qytetërim dhe pa të drejta. Një qëndrim i tillë përbën një fyerje për shqiptarët dhe duhet të marrë reagimin e duhur,” shkroi Këlliçi.
Ai shtoi se, sipas tij, motivi kryesor i autorit lidhet me interesat profesionale dhe projektet arkitekturore në Shqipëri, ndërsa kërkoi që ndaj Reinier de Graaf të mbahet një qëndrim institucional.
Në reagimin e tij, Këlliçi iu referua edhe protestave qytetare që po zhvillohen në Tiranë, duke deklaruar se ato tregojnë, sipas tij, pakënaqësinë e qytetarëve ndaj qeverisë.
“Shqiptarët e kanë kuptuar se me kë kanë të bëjnë. Edi Rama është tashmë ‘non grata’ në bulevardin poshtë zyrës së tij dhe kudo ku shqiptarët janë bashkuar,” përfundoi deputeti demokrat.
